Ilir Meta ka lindur me 24 Mars 1969 në rrethin e Skraparit. I diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranes, Ilir Meta ka përfunduar studimet pasuniversitare në po të njëjtën fushë. Aktualisht, Ilir Meta, është deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, President i Bordit të Institutit për Paqe, Zhvillim dhe Integrim, si dhe është anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin.
Z. Meta ka një aktivitet shumë intensiv politik, duke filluar që nga viti 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore e cila bëri të mundur përmbysjen e regjimit komunist. Nga viti 1992 e në vazhdim, Ilir Meta, është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qenë anëtar i disa komisioneve parlamentare ndërkohë që gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.
Ilir Meta është një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH) në Partinë Socialiste, duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjate viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).
Aktiviteti politik i Ilir Metës në strukturat e Partisë Socialiste është i ngjeshur. Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit të vitit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga Kryesia e PS-së (Korrik 2003), pas problemeve që ngriti pranë strukturave drejtuese të PS-së mbi mungesën e transparencës në drejtimin e qeverisë dhe partisë prej Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë, Fatos Nano. Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Në periudhën 1993-1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994-1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, periudhë gjatë së cilës u vendosen marrëdhëniet me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Europës, si dhe Partine Socialiste Europiane dhe Internacionalen Socialiste.
Ilir Meta, pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së, për ndryshimin e funksionimit dhe demokracisë së brendshme në këtë force politike, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete të tjerë dhe intelektualë të të gjitha fushave, themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI në prill të vitit 2005, i zgjedhur sipas parimit “Një anëtar, një vote”, duke u bërë lideri i parë në politikën shqiptare i zgjedhur nën këtë parim demokratik. Z. Meta është rikonfirmuar në krye të LSI, në zgjedhjet e fundit brenda kësaj force politike më 20 tetor 2012 ku mbi 31 mijë anëtarë të LSI-së votuan për kryetarin e tyre, sipas parimit “Një anëtar, një votë”.