Statuti

Statuti

STATUTI I LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM
I. Emri

1.1. Lëvizja Socialiste për Integrim është parti politike. Ajo është bashkim vullnetar i shtetasve shqiptarë mbi bazën e ideve, të bindjeve, të pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.

1.2. Emri i plotë i partisë është Lëvizja Socialiste për Integrim dhe inicialet e saj janë LSI, të cilat përdoren në simbolin, flamurin, vulën dhe në të gjithë dokumentet zyrtare.

II. Selia

2.1. Selia qendrore e LSI-së është në Tiranë.

III. Simboli

3.1. Simboli i Lëvizjes Socialiste për Integrim është i përbërë nga inicialet LSI, mbi të cilat është vendosur një trëndafil i kompozuar nga lulja dhe kërcelli me dy gjethe të vendosura në të dyja anët e tij. Simboli vendoset në stemën, vulën dhe flamurin e LSI-së.

IV. Vula

4.1. Lëvizja Socialiste për Integrim ka vulën e saj e cila është në formë rrethore me simbolin e LSI-së në qendër. Rreth simbolit shkruhet me gërma kapitale forumi i LSI-së, i cili e përdor.

V. Dokumentat Bazë

5.1. Dokumentet bazë mbi të cilat bazohet organizimi dhe funksionimi i LSI-së janë Programi dhe Statuti i LSI-së.

5.2. Programi dhe Statuti janë dokumente të hapura për ndryshime dhe përmirësime, kur zhvillimet i bëjnë të nevojshme.

VI. Parimet Kryesore

6.1. LSI është krijuar, organizuar e funksionon mbi bazën e disa parimeve kryesore që janë:

a) Vullnetarizmi për t’u anëtarësuar në LSI, për të pranuar programin dhe statutin e saj si dhe të gjitha detyrimet që burojnë prej tyre

b) Garantimi dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes të çdo anëtari të LSI-së, për çdo problem që ka të bëjë me organizimin, funksionimin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe organizative të LSI-së; për rolin dhe performancën e përfaqësuesve dhe e të zgjedhurve të saj; për dokumentet themelorë dhe çështje të tjera me interes.

c) Demokracia e brendshme e partisë, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në të gjitha forumet e LSI-së, si dhe e drejta e krijimit të fraksioneve brenda strukturave të LSI-së.

d) Kolegjialiteti dhe transparenca në vendimmarrje dhe në drejtimin e çdo forumi të LSI-së.

e) Votim i fshehtë dhe me kandidatura alternative mbi bazë të parimit një
anëtar – një votë.

VII. Anëtarësimi

7.1. Anëtar i LSI-së mund të jetë çdo shtetas shqiptar, pa dallim race, kombësie, feje, seksi, gjendje ekonomike dhe përkatësie shoqërore, i cili:

a) ka mbushur moshën 16 vjeç;

b) nuk është anëtar i ndonjë force tjetër politike;

c) pranon me vullnet të lirë statutin dhe programin e LSI-së dhe kontribuon në zbatimin dhe realizimin e tyre.

7.2. Anëtarësimi në LSI bëhet individualisht, mbi bazën e vullnetit të lirë të çdo shtetasi shqiptar që shpreh me shkrim kërkesën e tij për anëtarësim në Organizatën e LSI-së pranë Qendrës së Votimit në territorin e së cilës ai ka vendbanimin e qëndrueshëm dhe ushtron të drejtën e zgjedhjes.

7.3. Vendimin për pranimin në LSI të kërkuesit e merr Komiteti Drejtues pranë Njësisë Vendore përkatëse, pasi ka shqyrtuar më parë kërkesën dhe rekomandimin e Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit.

7.4. Shtetasi shqiptar që jeton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që ka dëshirën dhe plotëson kushtet për t’u anëtarësuar në LSI, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim pranë Kryesisë së LSI-së në vendin ku jeton. Në rastet kur LSI nuk ka struktura në shtetin ku jeton shtetasi shqiptar, që do të anëtarësohet në LSI, ai i drejtohet me një kërkesë me shkrim Kryesisë së LSI-së së rrethit ku ka gjendjen civile në Shqipëri.

7.5. Anëtarëve të LSI-së, që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, u garantohet përfaqësimi në Konventën Kombëtare të LSI-së. Mënyra e përfaqësimit në Konventën Kombëtare dhe e zhvillimit të jetës politike përcaktohet me vendim
të Komitetit Drejtues Kombëtar.

7.6. Anëtari i LSI-së, i cili për arsye personale është i detyruar të largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, mund të ruajë anëtarësinë duke njoftuar me shkrim Organizatën e LSI-së pranë Qendrës së Votimit përkatëse për adresën
e tij të re, si dhe të shprehë angazhimin për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky statut.

7.7. Anëtari i LSI-së ka për detyrë:

a) të bëjë pjesë në një organizatë të LSI-së;

b) të pranojë programin dhe statutin e saj;

c) të paguajë rregullisht kuotizacionin e anëtarësisë;

d) të marrë pjesë në zgjedhjet në LSI duke votuar për kandidatin që dëshiron,
si dhe në zgjedhjet për organet e Qeverisjes Vendore e në zgjedhjet e përgjithshme duke votuar për kandidatët e LSI-së apo për kandidatët që ajo mbështet;

dh) të mos kandidojë si i pavarur apo nën siglën e një force tjetër politike, në zgjedhjet për organet e Qeverisjes Vendore, në zgjedhjet e përgjithshme apo për pozicione publike, ku një nga kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave është ai i përfaqësimit politik;

e) të regjistrohet për të votuar vetëm pranë Organizatës së LSI-së pranë Qendrës
së Votimit në territorin e të cilës ka vendbanimin e qëndrueshëm të tij;

f) të respektojë disiplinën e partisë dhe të kontribuojë në forcimin e kohezionit të saj;

g) të pranojë vendimet e shumicës e të respektojë mendimin ndryshe;

h) të punojë për rritjen e ndikimit të LSI-së në komunitetin përkatës;

i) të përpiqet të shtojë radhët e LSI-së;

j) të mos përfshihet në veprimtari apo sjellje të cilat janë komprometuese për moralin shoqëror dhe cënojnë imazhin e LSI-së;

7.8. Anëtari i LSI-së ka të drejtë:

a) të zgjedhë dhe të zgjidhet në forumet drejtuese të LSI-së.

b) të marrë pjesë dhe të japë kontributin e tij në hartimin dhe zbatimin e qëndrimeve dhe politikave të LSI-së, programit dhe statutit të saj;

c) të informohet për aktivitetin e strukturave të LSI-së dhe të shprehë qëndrimin
e tij për to;

d) të propozojë dhe të propozohet si kandidat i LSI-së për zgjedhjet në organet e Qeverisjes Vendore apo për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në të gjithë organizmat ku kërkohet përfaqësimi LSI-së;

e) të jetë i barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të LSI-së, pavarësisht nga funksionet që mbulon në LSI apo gjetkë, e pavarësisht nga gjendja ekonomike, përkatësia shoqërore apo niveli arsimor;

f) të largohet nga LSI kur të dëshirojë duke bërë një njoftim me shkrim në Organizatën e LSI-së pranë Qendrës së Votimit ku bën pjesë, pa qenë i detyruar të japë shpjegime.

VIII. Masat Disiplinore

8.1. Çdo anëtar që vepron në kundërshtim me Statutin, Programin dhe vendimet e forumeve të LSI-së u nënshtrohet marrjes së masave disiplinore të cilat janë:

8.2. Masat disiplinore:

a) këshillimi;

b) pezullimi i anëtarësimit për një afat 1 vjeçar;

8.3. Proçedurën për dhënien e masës disiplinore anëtarit të LSI-së e fillon forumi i cili ka konstatuar shkeljen.

8.4. Kërkesa për dhënien e masës disiplinore në rastin e anëtarit të thjeshtë të LSI-së dhe Kryetarit të Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit, i drejtohet Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore, ndërsa për sa i përket rastit të funksionarit të LSI-së të zgjedhur apo të emëruar nga forumet e LSI-së, kërkesa i drejtohet forumit i cili e ka zgjedhur. Për funksionarët e LSI-së të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga anëtarësia kërkesa i drejtohet Konventës Kombëtare.

8.5. Kërkesa duhet të përmbajë një përshkrim të hollësishëm mbi shkeljen e konstatuar si dhe masën disiplinore të propozuar.

8.6. Marrja e vendimeve dhe ankimimi i tyre bëhet në përputhje me parashikimet e këtij Statuti dhe të vendimeve të Konventës Kombëtare.

8.7. Rregulla të hollësishme për dhënien e masave disiplinore përcaktohen nga Konventa Kombëtare.

IX. Organizimi i LSI

9.1. LSI është parti politike me organizim vertikal nga baza në qendër sipas ndarjes së zonave zgjedhore, e cila në themel të organizimit të saj ka demokracinë e brendshme në parti, lirinë e shprehjes dhe besimit, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur sipas parimit “një anëtar – një votë”.

9.2. LSI e ushtron aktivitetin e saj në të gjithë territorin e vendit dhe jashtë vendit ku ka struktura të ngritura në përputhje me Statutin e LSI-së dhe që veprojnë në respekt të plotë të ligjeve të shtetit ku kryen veprimtarinë e vet.

9.3. LSI është organizuar në dy nivele: në nivelin Vendor dhe nivelin Qëndror.

9.4. LSI në nivel Vendor ka këtë organizim:

a) Organizata pranë Qendrës së Votimit.

b) Komiteti Drejtues pranë Njësisë Vendore.

c) Konventa e Rrethit.

d) Komiteti Drejtues i LSI-së së Rrethit.

e) Kryesia e LSI-së së Rrethit.

9.5. Në nivel Qendror LSI ka këtë organizim:

a) Konventa Kombëtare.

b) Komiteti Drejtues Kombëtar.

c) Kryesia.

d) Kryetari.

e) Zëvendëskryetari.

f) Nënkryetarët.

g) Sekretari i Përgjithshëm.

X. Organizimi i LSI-së në Nivel Vendor

Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit

10.1. Njësia bazë e organizimit të LSI-së është Organizata pranë Qendrës së Votimit.

10.2. Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit formohet nga të paktën 5 anëtarë të LSI-së. Në rastet kur nuk mund të arrihet ky numër, me miratimin e Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore, anëtarët e LSI-së e zhvillojnë jetën e tyre politike, në një nga Organizatat e LSI-së pranë Qendrës së Votimit fqinjë.

10.3. Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit i zhvillon mbledhjet e saj të paktën 4 herë në vit. Mbledhja e Organizatës e LSI-së pranë Qendrës së Votimit thirret nga Kryetari ose nga 1/3 e anëtarëve.

10.4. Gjatë periudhës së fushatave për zgjedhjet në parti, për në organet e Qeverisjes Vendore apo zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit konsiderohet e mbledhur në mënyrë të vazhdueshme.

10.5. Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj politik:

a) propagandon politikën dhe qëndrimet e LSI-së, në përputhje me Programin, Statutin dhe vendimet e forumeve drejtuese të LSI-së;

b) propozon kandidatët e saj për në Komitetin Drejtues të Njësisë Vendore;

c) punon për shtimin e radhëve të LSI-së;

d) përpiqet të zgjerojë ndikimin e LSI-së në shtresat e ndryshme të popullsisë në njësinë territoriale për të cilën ajo përgjigjet dhe respekton mendimin e çdo shtetasi, anëtar apo jo i LSI-së.

e) mban lidhje me organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror apo individë, në përputhje me parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të LSI-së;

f) organizon dhe administron fushatat zgjedhore për zgjedhjet në LSI, për zgjedhjet në organet e Qeverisjes Vendore apo për zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve
të LSI-së;

Kryetari i Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit

10.6. Për mbarëvajtjen e punëve të përditshme, zgjidhet Kryetari i Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit. Kryetari zgjidhet për një periudhë katër vjeçare nga anëtarët e organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit, me votim të fshehtë dhe kandidaturë alternative.

10.7. Kryetari i Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit:

a) organizon veprimtarinë e LSI-së në territorin administrativ të Qendrës së Votimit;

b) thërret mbledhjet e Organizatës së LSI-së pranë Qendrës së Votimit;

c) njofton me shkrim Komitetin Drejtues të Zonës Zgjedhore për çdo mbledhje apo aktivitet të Organizatës pranë Qendrës së Votimit;

d) nënshkruan të gjitha vendimet e marra nga Organizata e LSI-së pranë Qendrës së Votimit;

e) harton e administron listën e anëtarëve të LSI-së pranë Qendrës së Votimit përkatëse;

f) harton listën e përkrahësve të LSI-së pranë Qendrës së Votimit përkatëse;

g) drejton fushatat zgjedhore të LSI-së në nivel Qendre Votimi, në rastet e Zgjedhjeve të Përgjithshme, Vendore apo forumet e LSI-së;

h) mbledh dhe dorëzon në Kryesinë e LSI-së të rrethit kuotat e anëtarësisë për organizatën që drejton.

Komiteti Drejtues i LSI-së në Njësinë Vendore

10.8. Drejtimi politik dhe organizativ i LSI-së në Njësinë Vendore realizohet nëpërmjet Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore.

10.9. Komiteti Drejtues i Njësisë Vendore përbëhet nga një numër tek anëtarësh, që miratohet me udhëzim të veçantë të Kryesisë së LSI-së.

10.10. Anëtarët e Komiteteve Drejtuese të Njësive Vendore zgjidhen nga anëtarësia nëpërmjet votimit të listave të kandidatëve. Listat e Kandidatëve hartohen sipas këtij parimi:

a) për Bashkitë një kandidat për çdo 10 anëtarë;

b) për Komunat një kandidat për çdo 5 anëtarë;

10.11. Rregulla të hollësishme për kushtet, mënyrat e kandidimit, të zhvillimit të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit në strukturat e LSI-së, miratohen nga Konventa Kombëtare.

10.12. Komiteti Drejtues i Njësisë Vendore mblidhet jo më rrallë se një herë në tre muaj me kërkesë të Kryetarit ose 1/3 e anëtarëve.

10.13. Komiteti Drejtues i LSI-së në Njësinë Vendore:

a) organizon, koordinon dhe kontrollon punën e Organizatave të LSI-së pranë Qendrës së Votimit të LSI-së në territorin administrativ të Njësisë Vendore;

b) krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të LSI-së në nivel Njësie Vendore;

c) propozon kandidaturat për deputetë, në organet e Qeverisjes Vendore apo në çdo organizatë tjetër ku kërkohet përfaqësimi politik i LSI-së në territorin administrativ të saj. Kur territori i organit të Qeverisjes Vendore ndahet në më shumë së një zonë zgjedhore, secili Komitet Drejtues i Njësisë Vendore jep kandidaturën e vet;

d) zgjedh përfaqësuesit e tij për në Konventën e Rrethit dhe për në Konventën Kombëtare;

e) kontrollon dhe administron proçesin e mbledhjes së kuotizacioneve;

f) koordinon punën e LSI-së në të gjitha fushat, politike, ekonomike, shoqërore, duke bashkëpunuar jo vetëm me Organizatat e LSI-së pranë Qendrave të Votimit dhe anëtarët e LSI-së, por edhe me organizatat partnere, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror, përkrahës të LSI-së apo individë, në përputhje me parimet dhe normat e Programit dhe të Statutit të LSI-së;

g) miraton pranimet, këshillimet apo pezullimet nga LSI-ja, pasi shqyrton kërkesat e shtetasve apo anëtarëve si dhe kërkesat për masa disiplinore e rekomandimet përkatëse të Organizatave të LSI-së pranë Qendrave të Votimit apo forumeve të tjera të LSI-së;

h) organizon dhe administron fushatat elektorale për zgjedhjet në parti, për në organet e qeverisjes vendore apo për deputetë në Kuvendin e Shqipërise, në zonën zgjedhore përkatëse, në përputhje me kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve të LSI-së;

i) raporton në mënyrë periodike në Kryesinë e LSI-së në Rreth për aktivitetin e LSI-së në territorin administrativ të zonës zgjedhore përkatëse.

Kryetari i LSI-së në Njësinë Vendore

10.14. LSI në nivel Njësie Vendore drejtohet nga Kryetari i LSI-së në Njësinë Vendore, i cili zgjidhet nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë sipas parimit “një anëtar – një votë” nga anëtarësia e LSI-së e Njësisë Vendore për një periudhë katër vjeçare.

10.15.Kryetari i LSI-së në Njësinë Vendore:

a) drejton veprimtarinë e LSI-së në territorin administrativ të Njësisë Vendore përkatëse;

b) thërret dhe drejton mbledhjet e Komitetit Drejtues të Njësisë Vendore;

c) nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Komiteti Drejtues i Njësisë Vendore;

d) drejton fushatat zgjedhore të LSI-së në nivel Njësie Vendore, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme, vendore apo forumet e LSI-së;

e) drejton Konventën e LSI-së në Rreth.

Konventa e LSI-së së Rrethit

10.16. Drejtimi politik dhe organizativ i LSI-së në nivel rrethi realizohet nëpërmjet Konventës së LSI të rrethit.

10.17. Konventa e LSI-së së Rrethit përbëhet nga delegatët e zgjedhur sipas gërmës d) të pikës 10.14 të këtij Statuti, ku përveç delegatëve të zgjedhur sipas kritereve të miratuara nga KDK, bëjnë pjesë dhe kryetarët e komiteteve të LSI-së të njësive vendore, anëtarët e Komiteteve Drejtuese të LSI-së në njësitë vendore si dhe të zgjedhurit në organet lokale të qeverisjes.

10.18. Konventa e Rrethit mblidhet të paktën dy herë në vit në bazë të një programi vjetor të miratuar nga Kryesia e LSI-së. Ajo thirret me vendim të Kryesisë së LSI-së në Rreth me kërkesën e 1/3 të anëtarëve të saj ose me kërkesë të Kryesisë
së LSI-së.

10.19. Konventa e LSI-së në Rreth, gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj:

a) zgjedh Komitetin Drejtues të LSI-së së rrethit;

b) miraton kandidatët e LSI për këshilltarë në organet e qeverisjes vendore dhe i propozon KDK
kandidatët e LSI-së për kryetarë të Njësive Vendore të rrethit.

c) miraton planin vjetor të veprimit politik dhe elektoral të propozuar nga KD i LSI-së së rrethit;

d) bën analizën e punës dhe te veprimtarisë së KD të LSI-së së rrethit për periudhën midis mbledhjes së Konventës së Rrethit.

Komiteti Drejtues i LSI-së së Rrethit

10.20. KD i LSI-së të Rrethit realizon drejtimin politik dhe organizativ të LSI-së së rrethit në periudhën midis dy konventave të rrethit;

a) KD i LSI-së së Rrethit përbëhet nga anëtarët e zgjedhur me votim të fshehtë nga Konventa e LSI-së së rrethit, sipas numrit të miratuar nga Konventa;

b) janë anëtarë të KD të LSI-së së Rrethit pa votim Kryetarët e LSI-së të Njësive Vendore, të zgjedhurit në organet e Qeverisjes Vendore, kryetarja e LGI-së së rrethit dhe kryetari i LRI së rrethit.

c) KD i LSI-së të Rrethit përgjigjet për zbatimin e vendimeve të Konventës Kombëtare, të KDK-së, të Kryesisë së LSI-së si dhe të vendimeve të Konventës së Rrethit;

d) koordinon veprimtarinë e LSI-së në të gjitha fushat: politike, ekonomike e shoqërore;

e) në mbledhjen e parë pas konstituimit, Komiteti Drejtues i Rrethit zgjedh Nënkryetarët dhe Sekretarët e LSI-së së Rrethit;

f) Komiteti Drejtues, si rregull, duhet të mblidhet jo më pak se një herë në tre muaj. Ai thirret me kërkesë të Kryesisë së LSI-së, me kërkesë të Kryesisë së Rrethit dhe nga 1/3 e anëtarëve.

Kryesia e LSI-së në Rreth

10.21. Kryesia e LSI-së në Rreth përbëhet nga Kryetarët e Komiteteve të LSI të Njësive Vendore që janë anëtarë të saj pa votim dhe anëtarët që zgjidhen me votim të fshehtë nga Konventa e Rrethit. Numri i anëtarëve të Kryesisë së Rrethit miratohet nga KD i Rrethit.

10.22. Kryesia e LSI-së në Rreth, mblidhet të paktën një herë në muaj. Ajo thirret nga Kryetari ose nga 1/3 e anëtarëve të Kryesisë të LSI-së në Rreth.

10.23. Kryesia e LSI-së të Rrethit:

a) organizon, koordinon dhe drejton veprimtarinë e përgjithshme të LSI-së në territorin e rrethit përkatës;

b) organizon, koordinon dhe drejton fushatat elektorale për zgjedhjet në LSI, për në Organet e Qeverisjes Vendore apo për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë në rrethin përkatës, në përputhje me kompetencat që i jepen nga Statuti dhe vendimet e forumeve të LSI-së;

c) përfaqëson LSI-në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera, organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të LSI-së, në territorin e rrethit përkatës;

d) miraton ndarjen e mjeteve materiale e financiare të LSI-së në rrethin përkatës;

e) thërret mbledhjen e Konventës së LSI-së në Rreth;

f) krijon dhe administron regjistrin e anëtarësisë dhe të strukturave të LSI-së në nivel rrethi;

g) kontrollon mbledhjen e kuotizacioneve dhe përdorimin e fondeve nga strukturat e LSI-së në rrethin përkatës;

h) raporton në mënyrë periodike në Kryesinë e LSI-së për aktivitetin e LSI-së në territorin administrativ të rrethit përkatës.

Kryetari i LSI-së në Rreth

10.24. Kryetari i LSI-së së Rrethit si rregull zgjidhet nga anëtarësia e rrethit, me votim të fshehtë, me më shumë se një kandidat sipas parimit një anëtar – një votë për një periudhë katër vjeçare.

10.25. Kryetari i LSI në Rreth:

a) drejton veprimtarinë e LSI-së në territorin administrativ të rrethit përkatës;

b) thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë së Rrethit;

c) nënshkruan të gjithë vendimet e marra nga Kryesia e Rrethit;

d) drejton fushatat zgjedhore të LSI-së në nivel rrethi, në rastet e zgjedhjeve të përgjithshme, vendore apo forumet e LSI-së.

Struktura e LSI-së në Bashkinë e Tiranës

10.26. Struktura e LSI-së në territorin e Bashkisë së Tiranës organizohet dhe funksionon në bazë të Komitetit Drejtues në nivel njësish bashkiake, komitetit drejtues të bashkisë së Tiranës dhe Konventës së LSI-së Tiranë.

10.27. Konventa e Bashkisë së Tiranës përbëhet nga Kryetarët dhe Komitetet Drejtuese të Njësive Bashkiake si dhe nga Delegatët që zgjidhen me votim të fshehtë.

10.28. KD të Njësive Bashkiake në Bashkinë e Tiranës gëzojnë atributet e KD të LSI-së së rrethit.

10.29. KD i LSI-së së Bashkisë së Tiranës organizon, koordinon dhe drejton veprimtarinë e KD së Njësive Bashkiake dhe është forumi vendimmarrës për gjithë veprimtarinë e LSI-së në Bashkinë e Tiranës, me përjashtim të rasteve kur këto atribute Statuti ia njeh KDK dhe Kryesisë së LSI-së.

XI. Organizimi i LSI-së në Nivel Qëndror

Konventa Kombëtare e LSI-së

11.1. Konventa Kombëtare është forumi më i lartë vendimmarrës i LSI-së.

11.2. Konventa Kombëtare thirret të paktën një herë në vit me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar ose me kërkesë të 1/3 të anëtarëve të Konventës Kombëtare.

11.3. Konventa Kombëtare drejtohet nga Kryesia e Konventës, e cila zgjidhet nga anëtarët e Konventës Kombëtare mbi bazën e propozimit të Grupit Organizator.

11.4. Konventa Kombëtare i zhvillon punimet në bazë të rregullores së saj e cila hartohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar dhe miratohet nga Konventa Kombëtare.

11.5. Konventa Kombëtare:

a) miraton Programin dhe Statutin ose ndryshimet në to;

b) cakton numrin e anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar;

c) zgjedh anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar;

d) miraton kriteret që duhet të plotësojë një anëtar për t’u zgjedhur në forumet e LSI-së;

e) miraton kriteret e përzgjedhjes së kandidaturave për të përfaqësuar LSI-në në Organet e Qeverisjes Vendore dhe Qëndrore;

f) miraton proçedurat e zhvillimit të zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe forumet
e LSI-së;

g) miraton kriteret e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të zgjedhur nga Konferencat e Rretheve për në Konventën Kombëtare;
h) miraton masën e kuotizacionit;

i) miraton rregulla mbi proçedurat e ankimimit të vendimeve të forumeve të LSI-së, llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për vendimmarrje në Këshillin Ankimor;

j) rikonfirmon ose jo mandatin e drejtuesve të LSI-së që janë emërtesë e saj në rastet e një proçedure rikonfirmimi mandati;

k) miraton rregulla mbi kushtet, mënyrat e kandidimit, të zhvillimit të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit në strukturat e LSI-së;

l. miraton rregullat mbi mënyrën e legalizimit si dhe të përfaqësimit të fraksioneve në forumet e LSI-së.

ll. miraton kandidaturat për deputetë në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme;

m) miraton kandidaturat për Kryetar të LSI-së.

11.6. Konferenca Kombëtare e të Zgjedhurve Lokalë

Konferenca Kombëtare e të Zgjedhurve Lokalë përbëhet nga të gjithë të zgjedhurit e LSI-së në organet e Qeverisjes Vendore. Ajo mblidhet jo më pak se një herë në dy vjet. Mbledhjet e Konferencës Kombëtare të të Zgjedhurve Lokalë, thirren me vendim të Komitetit Drejtues Kombëtar.

Komiteti Drejtues Kombëtar i LSI-së

11.7. Drejtimi politik dhe organizativ i LSI-së në nivel kombëtar midis dy Konventave Kombëtare realizohet nëpërmjet Komitetit Drejtues Kombëtar.

11.8. Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar zgjidhen nga Konventa Kombëtare për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet një proçedure konkurimi me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë. Numri i anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar caktohet me vendim të Konventës Kombëtare. Anëtarë të KDK pa votim janë Kryetari i LSI-së, Kryetari i LRI-së, Kryetarja e LGI-së, Deputetët e LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë, të zgjedhurit Kryetarë Komunash dhe Bashkish si dhe Kryetarët e LSI-së së Rretheve.

11.9. Në rast se mandati i anëtarit të KDK-së ndërpritet përpara kohe zëvendësimi i vendit vakant bëhet nga KDK me propozim të Kryesisë së LSI-së.

11.10. Komiteti Drejtues Kombëtar:

a) organizon dhe drejton gjithë veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale
të LSI-së;

b) në rast fitoreje të zgjedhjeve miraton programin e qeverisë;

c) cakton numrin e Anëtarëve të Kryesisë së LSI-së;

d) zgjedh Zëvendëskryetarin, Nënkryetarët, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Anëtarët e Kryesisë së LSI-së;

e) zgjedh Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së;

f) miraton kandidaturat e LSI-së për në Organet e Qeverisjes Vendore apo në organizatat e tjera ku kërkohet përfaqësimi i LSI-së;

g) me kërkesë të Kryesisë së LSI-së diskuton dhe miraton programe reformash në fusha të caktuara;

h) miraton strukturën administrative të LSI-së;

i) vendos thirrjen e Konventës Kombëtare si dhe emëron Grupin Organizator të saj;

j) miraton rregullore dhe udhëzime mbi mënyrën dhe praktikën e organizmit, funksionimit
dhe dokumentimit të aktivitetit të LSI-së;

k) krijon komisione të përhershme apo të përkohshme pune me anëtarë apo simpatizantë të LSI-së për të zgjidhur probleme të natyrave të ndryshme;

l. miraton vendndodhjen e Selive të Komiteteve Drejtuese të LSI-së në Zonat Zgjedhore;

ll. miraton rregulla mbi mënyrën e përfaqësimit në Konventën Kombëtare dhe e zhvillimit të jetës
politike të Anëtarëve të LSI-së që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë;

m) miraton rregullat e përdorimit të vulës të LSI-së;

n) zgjedh Anëtarët e Këshillit Ankimor dhe miraton rregulloren e funksionimit te tij;

o) zgjedh Financierin e LSI-së;

p) miraton rregulla mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të LSI-së;

q) miraton rregulla mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të strukturave të LSI-së në të gjitha nivelet;

r) në rast mosfunksionimi, thyerjesh të rënda disiplinore, apo rezultatesh të dobëta në zgjedhjet e përgjithshme ose vendore, vendos riorganizimin pjesor ose të plotë të Strukturës Lokale të LSI-së;

s) Komiteti Drejtues Kombëtar ka të drejtë të kooptojë në periudhën ndërmjet dy Konventave deri në 5% të numrit të Anëtarëve të KDK-së.

11.11. Komiteti Drejtues Kombëtar e zhvillon veprimtarinë e tij në bazë të rregullores, që hartohet nga Kryesia dhe miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar.

11.12. Mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar thirren me vendim të Kryesisë ose me kërkesë të 1/3 e Anëtarëve të KDK-së.

11.13. Mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar drejtohen nga Kryetari i tij, i cili zgjidhet nga radhët e Anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe është Anëtar i Kryesisë së LSI-së.

a) Kryetari i KDK-së ndjek veprimtarinë e Komisioneve të përhershme politike që funksionojnë në LSI dhe informon periodikisht Kryesinë dhe KDK-në.

b) Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar bashkëpunon me Kryetarin e Grupit Parlamentar për qëndrimet e Komisioneve Politike të Përhershme për probleme legjislative si dhe për formulimin e qëndrimeve të LSI-së sipas fushave të ndryshme në Parlament.

Kryesia e LSI-së

11.14. Kryesia e LSI-së përbëhet nga një numër tek anëtarësh, duke përfshirë Kryetarin, Zëvendëskryetarin, Nënkryetarët, Kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar, Sekretarin e Përgjithshëm, Kryetarin e Lëvizjes së të Rinjve për Integrim, Kryetaren e Lëvizjes së Gruas për Integrim dhe Anëtarët.

11.15. Anëtarët e Kryesisë zgjidhen nga radhët e Anëtarëve të Komitetit Drejtues Kombëtar për një periudhë katër vjeçare nëpërmjet konkurrimit me kandidatura alternative.

11.16. Kryesia e LSI-së mblidhet jo më pak së një herë në muaj.

11.17. Mbledhjet e Kryesisë thirren nga Kryetari ose nga 1/3 e Anëtarëve të saj. Kryesia e LSI-së e zhvillon aktivitetin e saj mbi bazën e rregullores përkatëse, e cila miratohet nga Komiteti Drejtues Kombëtar.

11.18. Kryesia e LSI-së:

a) organizon punën dhe veprimtarinë e përgjithshme të LSI-së;

b) përpunon e miraton qëndrimet politike të LSI-së;

c) miraton aleancat politike si dhe emrat e përfaqësuesve të LSI-së në qeveri apo çdo organizëm tjetër ku kërkohet përfaqësim politik i LSI-së;

d) përfaqëson LSI-në, në marrëdhënie me organizatat partnere, partitë e tjera, organizatat politike, të shoqërisë civile, të çdo grupimi tjetër shoqëror, në përputhje me parimet dhe normat e Statutit dhe të Programit të LSI-së;

e) miraton buxhetin vjetor të LSI-së; f) kontrollon dhe përgjigjet për veprimtarinë ekonomike dhe financiare të LSI-së;

g) nxjerr rregullore e udhëzime në përputhje me kompetencat që i jepen me këtë statut apo me vendim të Konventës Kombëtare apo Komitetit Drejtues Kombëtar;

i) miraton numrin e Anëtarëve të Komiteteve Drejtuese të LSI-së të Njësive Vendore;

j) miraton listën e kandidatëve për Kryetarë të LSI-së të Njësive Vendore si dhe të rretheve, që do t’i nënshtrohen më pas proçesit të votimit në strukturat përkatëse;

k) zgjedh Sekretarët.

Kryetari i LSI-së

11.19. Kryetari është drejtuesi kryesor politik i LSI-së.

11.20. Kryetari zgjidhet një herë në 4 vjet nëpërmjet votimit nga anëtarësia sipas parimit një anëtar – një votë dhe me kandidaturë alternative.

11.21. Kandidatëve për Kryetar të LSI-së u krijohen kushte të barabarta infrastrukturore, financiare dhe hapësira në shtypin apo në publikimet e LSI-së. Proçedura e përzgjedhjes së kandidaturave për Kryetar, mënyra e paraqitjes së programeve nga kandidatët, mënyra e zhvillimit të fushatës elektorale për zgjedhjen e kryetarit të LSI-së, miratohet me vendim të Konventës Kombëtare.

11.22. Kryetari i LSI-së:

a) drejton dhe koordinon veprimtarinë politike dhe organizative të LSI-së dhe përfaqëson LSI-në brenda dhe jashtë vendit;

b) thërret dhe drejton mbledhjen e Kryesisë;

c) koordinon punën e Kryesisë;

d) emëron personelin administrativ e LSI-së.

11.23/a. Zëvendëskryetari në mungesë dhe me porosi, zëvendëson Kryetarin. Me vendim të Kryetarit apo të forumeve përkatëse të LSI- së, Zëvendëskryetarit i caktohen edhe detyra të tjera.

11.23/b. Zëvendëskryetari propozohet nga Kryetari i LSI-së dhe zgjidhet për një periudhë katër vjeçare nga KDK, me votim të fshehtë dhe me kandidaturë alternative.

Nënkryetarët e LSI-së:

11.24. Nënkryetarët e LSI-së zgjidhen nga KDK për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë. Në vendimin e tij Komiteti Drejtues Kombëtar përcakton edhe detyrat e kompetencat e Nënkryetarëve.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së

11.25. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së zgjidhet nga Komiteti Drejtues Kombëtar për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë.

11.26. Sekretari i Përgjithshëm:

a) organizon nga ana administrative mbledhjen e Kryesisë, Komitetit Drejtues Kombëtar dhe të Konventës Kombëtare;

b) drejton proçesin e zbardhjes së vendimeve të Kryesisë, Komitetit Drejtues Kombëtar dhe Konventës Kombëtare;

c) mbikëqyr veprimtarinë e strukturave politiko-administrative të LSI-së.

XII. Marrja e Vendimeve

12.1. Në forumet e LSI-së vendimet merren vetëm pas debatit e ballafaqimit të lirë të mendimeve.

12.2. Vendimet në forumet e LSI-së merren me konsensus dhe në mungesë të konsensusit me votim të hapur.

12.3. Vendimet që kanë të bëjnë me individët, me normat e Statutit dhe të Programit, apo kur kërkohet nga 1/3 e Anëtarëve të forumit të LSI-së që merr vendimin, merren gjithnjë me votim të fshehtë.

12.4. Vendimi i miratuar nga shumica e pjesëmarrësve në votim është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë ata të cilëve ky vendim u drejtohet.

12.5. Vendimet e forumeve publikohen në organet e shtypit të LSI-së apo në buletinet e saj periodike informative.

XIII. Ankimimi i Vendimeve

13.1. Vendimet që merren nga forumet e LSI-së mund të ankimohen në Këshillin Ankimor.

13.2. Anëtarët e Këshillit Ankimor zgjidhen nga KDK nëpërmjet një proçedure konkurimi me kandidatura alternative dhe me votim të fshehtë, për një periudhë katër vjeçare. Mandati i Anëtarëve të Këshillit Ankimor mbaron vetëm me konstituimin e Këshillit Ankimor pasardhës.

13.3. Anëtarët e Këshillit Ankimor nuk mund të zgjidhen në asnjë forum drejtues
të LSI-së.

13.4. Të drejtën e ankimimit të vendimeve të marra nga forumet e LSI-së e kanë të gjithë Anëtarët apo forumet e saj. Në Këshillin Ankimor nuk mund të ankimohen vetëm vendimet e Konventës Kombëtare.

13.5. Vendimet e Këshillit Ankimor janë të detyrueshme për zbatim.

13.6. Rregulla të hollësishme për proçedurat e ankimimit të vendimeve të forumeve të LSI-së, llojet e vendimeve, mënyrën e marrjes së vendimeve, kuorumet e nevojshme për vendimmarrje në Këshillin Ankimor, sanksionohen në rregulloren e Këshillit Ankimor të cilën e miraton KDK-ja.

XIV. Fraksionet në LSI

14.1. LSI-ja njeh dhe garanton përfaqësimin e fraksioneve në forumet e saj.

14.2. Rregulla të hollësishme mbi mënyrën e legalizimit dhe të përfaqësimit të fraksioneve në forumet e LSI-së, përcaktohen nga Konventa Kombëtare.

XV. Rikonfirmimi i Mandateve

15.1. Të gjithë funksionarët e LSI-së, të zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Anëtarësia apo të zgjedhur nga Forumet, mund t’i nënshtrohen proçedurës së rikonfirmimit të mandatit.

15.2. Proçedura e rikonfirmimit të mandatit të funksionarit të LSI-së të zgjedhur nga Anëtarësia apo Forumet e LSI-së, fillon me kërkesën me shkrim e të paktën 1/3 e trupës zgjedhore të të zgjedhurit nga anëtarësia, ose 1/3 e anëtarëve të Forumit që ka bërë zgjedhjen.

15.3. Rikonfirmimi i mandatit në çdo rast zhvillohet me të njëjtën proçedurë të zgjedhjes të funksionarit të LSI-së që i nënshtrohet rikonfirmimit të mandatit.

15.4. Rregulla të hollësishme mbi proçedurën e rikonfirmimit të mandatit miratohen nga Konventa Kombëtare.

XVI. Burimet Financiare e Materiale dhe Përdorimi i Tyre

16.1. Burimet financiare të LSI-së janë:

a) të ardhurat nga kuotizacionet;

b) të ardhurat nga buxheti i shtetit në përputhje me legjislacionin për financimin e partive politike;

c) ndihmat dhe dhuratat të Anëtarëve e përkrahësve të LSI-së;

d) ndihmat dhe dhuratat e organizatave partnere;

e) çdo e ardhur tjetër që nuk bie në kundërshtim me legjislacionin për financimin e partive politike.

16.2. Veprimtaria financiare dhe ekonomike e LSI-së drejtohet nga Financieri
i LSI-së.

16.3. Financieri i LSI-së zgjidhet nga Komiteti Drejtues Kombëtar për një periudhë katër vjeçare, nëpërmjet konkurimit me kandidatura alternative.

16.4. Aktiviteti financiar dhe ekonomik i LSI-së mbikëqyret në mënyrë të vazhdueshme nga Kryesia, e cila miraton edhe buxhetin e LSI-së për vitin pasardhës.

16.5. Një herë në vit, në mbledhjet e Komitetit Drejtues Kombëtar, Financieri paraqet një raport në lidhje me aktivitetin financiar dhe ekonomik të LSI-së.

16.6. Rregulla të hollësishme mbi aktivitetin financiar dhe ekonomik të LSI-së miratohen nga Komiteti Drejtues Kombëtar.

XVII. Organizatat Partnere

17.1. Lëvizja Rinore për Integrim dhe Lëvizja e Gruas për Integrim janë organizata partnere të LSI-së.

17.2. Anëtarët e Lëvizjes Rinore për Integrim dhe Lëvizjes së Gruas për Integrim, janë automatikisht anëtarë të LSI-së nëse plotësojnë kriteret e vendosura nga ky statut.

17.3. Lëvizja e Gruas për Integrim përfaqësohet me lista të veçanta kandidimi për në forumet e LSI-së në të gjitha nivelet në masën jo më pak se 50%. Parimi i barazisë gjinore është i detyruar të respektohet në përbërjen e të gjitha forumeve të LSI-së.

17.4. Lëvizja Rinore për Integrim përfaqësohet me lista të veçanta kandidimi për në forumet e LSI-së në të gjitha nivelet jo me pak se 30%. Në çdo rast përfaqësimi i Lëvizjes së të Rinjve për Integrim do të jetë një përfaqësim i barabartë gjinor.

17.5. Përfshirja në forumet e LSI-së me kuota të caktuara, nuk pengon kandidimin dhe zgjedhjen e përfaqësuesve të këtyre dy organizatave, të rinjve e të rejave apo grave, në forumet e LSI-së jashtë këtyre kuotave.

XVIII. Marrëdhëniet me Organizatat e Tjera
Politike dhe Shoqërore

18.1. LSI-ja bashkëpunon me sindikatat si dhe me organizatat politike e shoqërore që veprojnë në përputhje me legjislacionin shqiptar, kryesisht me ato organizata të cilat ashtu si LSI-ja vlerësojnë parimet moderne të socialdemokracisë si mundësinë më të mirë për zhvillimin e vendit.

18.2. LSI bashkëpunon me të gjitha ato organizata politike e shoqërore që synojnë një shoqëri demokratike e drejtësi shoqërore duke u bazuar tek debati konstruktiv dhe respektimi i pikëpamjeve.

18.3. LSI-ja, duke respektuar pavarësinë dhe parimin e mosndërhyrjes, bashkëpunon me të gjitha partitë politike dhe organizatat politike apo të shoqërisë civile të shqiptarëve kudo që janë, në interes të mbrojtjes dhe përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare.

18.4. LSI bashkëpunon me të gjitha organizatat politike në botë që synojnë një shoqëri demokratike.