Konventa Kombetare LRI 2016

Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi Konventën Kombëtare, që zgjodhi edhe kryetaren e re të këtij forumi, Floida Kërpaçi.

Në  këtë konventë ishin të  pranishëm Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, Zv.Kryetarii LSI-së, z. Petrit Vasili, N/Kryetarët e LSI-së, znj. Kejdi Mehmetaj e z. Endrit Braimllari, deputet të LSI-së, Ministrja për Integrimin Europian, znj. Klajda Gjosha, Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto, Ministri I Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni, Z. Pishtar Lutfiu, Kryetarja e Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar, znj. Joleza Koka dhe 2005 delegat të LRI-së nga e gjithë Shqipëria.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta u shpreh se duhen ndërtuar ura bashkëpunimi, për të zhvilluar solidaritetin, në mënyrë që t’i jepet vendit dhe në mënyrë të veçantë të rinjve një të ardhme më e sigurt dhe t’i jepet fund ëndrrës së të rinjve për t’u larguar.

“Ju vazhdimisht thoni se unë jam miku juaj më i mirë. Dua t’ju siguroj që në këto 25 vite në politikë, ku unë jam përfshirë që student në Lëvizjen Demokratike të Dhjetorit, ju të rinjtë dhe të rejat e LRI-së jeni miqtë e mi më të mirë. Në këto 25 vite edhe unë si kushdo tjetër kam pasur mjaft zhgënjime. Megjithatë dua t’ju siguroj se vendimi më i mirë politik që kam marrën ndonjëherë në jetën time padyshim që ka qenë vendimi për të krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por brenda këtij vendimi, vendimi më i rëndësishëm ka qenë që nga dita e krijimit të LSI-së mbështetja për të krijuar një organizatë të fuqishme rinore si Lëvizja Rinore për Integrim.

Disa propozime të statutit dhe të programit të Lëvizjes Rinore për Integrim për katër vitet e ardhshme:

  • STATUTI
  • Emërtimi

Lëvizja Rinore për Integrim është një forum politik, inicialet e saj janë LRI, të cilat do të përdoren në simbolin, flamurin, vulën dhe të gjitha dokumentet e saj.

Objekti

LRI është bashkim i të rinjve shqiptarë mbi bazën e ideve ,bindjeve dhe interesave të përbashkëta politike, me qëllim për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri dhe vendimmarrje.

Parimet

LRI është e organizuar dhe funksionon në bazë të disa parimeve kryesore të cilat janë:

  1. Parimi i universalitetit;
  2. Parimi i pjesëmarrjes;
  3. Parimi i garancisë së integritetit personal;
  4. Parimi i meritokracisë;
  5. Parimi i barazisë gjinore;
  6. Parimi i kolegjialitetit;
  7. Parimi i besnikërisë dhe ruajtjes së konfidencialitetit;
  8. Parimi i votës së lirë;
  9. Parimi i demokrcisë së brendshme;
  10. Parimi i transparencës;
  11. Parimi mbi të drejtën e informimit.
  12. LRI vlerëson parimet moderne të social demokracisë, si mundësinë më të mirë për zhvillimin e vendit.

Me miratimin e reformës administrative-territoriale koncepti rreth nuk ekziston më dhe për këtë arsye në Konventen Kombëtare të Gjimnazistëve u propozua që në statut të ndryshohej emërtimi nga Konferenca Studentore Shkollore në rreth në Konventën e Gjimnazistëve në bashki.

Një ndryshim i pasqyruar dhe në statutin e LRI-së është:

Organizimi i Konventës Kombëtare Studentore çdo dy vjet, me pjesëmarrës delegate dhe përfaqësues nga strukturat e studenëve, të cilët zgjedhin kryetarin e Strukturës së Studentëve të LRI.
Organizimi i Konventës Kombëtare të Shkollave të Mesme çdo dy vjet, me pjesëmarrës delegate dhe përfaqësues nga strukturat e shkollave të mesme, të cilët zgjedhin kryetarin e Strukturës së Shkollave të Mesme të LRI-së.

LRI bashkëpunon me të gjitha ato organizata politike dhe shoqërore që synojnë një shoqëri demokratike e drejtësi shoqërore, duke u bazuar te debati konstruktiv dhe respektimi i pikëpamjeve.

LRI bashkëpunon me të gjitha organizatat politike në botë që synojnë një shoqëri demokratike.

PROGRAMI:

Ku qëndrojmë dhe çfarë kërkojmë?

TË RINJTË FAKTORË KYÇ NË INTEGRIMIN E SHQIPËRISË NË BE

EDUKIM CILËSOR

Lëvizja Rinore për Integrim kërkon shkolla me sistem edhe kurrikula të integruara në të gjithë vendin, cilësi dhe standarde të njëjta. Metodat e mësimdhënies të jenë të ngjashme dhe të njehsuara, në mënyrë që ti ofrojnë të gjithë nxënësve edukim cilësor.

MUNDËSI PUNËSIMI PËR TË GJITHË

LRI kërkon politika aktive për të ndikuar pozitivisht në vendin e punës. Këto politika duhet të garantojnë një integrim efektiv të të rinjve në tregun e punës dhe në të njëjtën kohë t’i mbrojnë ata nga marrëdhëniet abusive.

PËRFSHIRJA SOCIALE E TË RINJVE

LRI ka arritur të bëjë realitet ligjin “Për Punën Vullnetare”,që do ti mundësojë çdo të riu që të bëhet pjesë e një aktiviteti vullnetar, duke iu njohur kontributi, duke e nxitur kështu këtë fenomen që ndikon në përfshirjen e të rinjve.

POLITIKAT MJEDISORE

LRI nxit hartimin e një pakete të fortë ligjore për mbrojtjen e komunitetit dhe të pasurive natyrore!

Drejtimet kryesore të politikës mjedisore janë:

Lufta kundër ndotjeve të ujit dhe të ajrit.
Mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit.
Politikat mjedisore inovative.